“Paraqitja e boksierëve të Kosovës në Kampionatin Evropian në Serbi do të ishte rrezik dhe provokim”.
Kështu shkruan në letrën e Federatës së Boksit të Serbisë, dërguar të dielën në adresë të Federatës së Boksit të Kosovës.
Federata e Boksit e Kosovës, për Kampionatin Evropian që mbahet në Beograd prej 18 deri më 28 prill, në fund të muajit të kaluar kishte paraqitur nëntë boksierë.
Por boksierët e Kosovës përballen me një tjetër diskriminim. Paraqitja e tyre në ngjarjen kontinentale nuk do të realizohet. Edhe më herët boksierët kosovarë nuk janë lejuar të paraqiten në ngjarjet ndërkombëtare që mbahen në Serbi. Ka pasur raste kur boksierëve nuk u është lejuar fare futja në territorin e Serbisë, ndërsa në raste të tjera nuk u është garantuar pjesëmarrja e barabartë me delegacionet e tjera.
Edhe në letrën e dërguar, Federata serbe ka qëndrim diskriminues. Nuk i drejtohet Kosovës në emrin zyrtar të shtetit.
“Një problem potencial është njoftimi i pjesëmarrjes së të ashtuquajturës Kosovë*. Ne nuk kemi asgjë ndaj asnjërit sportist në botë. Serbia nuk e pranon të ashtuquajturën Kosovë*, prandaj do të ishte rrezik për sportistët e saj të shfaqen në Serbi, sepse ngjarja do të kthehej në provokim të madh të një problemi të madh politik”, shkruan në letrën e firmosur nga drejtori i Federatës së Boksit të Serbisë, Mane Marceta.
Kampionati Evropian është prej ngjarjeve kryesore të vitit në boksin amator. Të drejtën e organizimit e ka Federata e Boksit e Serbisë.
Në letër thuhet se mbështetje për organizimin e Evropianit, Federata ka nga Qeveria e Serbisë.
“Federata e Boksit e Serbisë është organizatore e Kampionatit Evropian EUBC për femra dhe meshkuj në Beograd, nga 18 deri më 28 prill. Me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Serbisë, Ministrisë së Sportit dhe qytetit të Beogradit, nuk ka dyshim se ne edhe një herë tjetër do të organizojmë spektakël që do të kontribuojë në ngritjen e imazhit të boksit në të gjithë Evropën”.
Në letrën e Federatës së Boksit të Serbisë është lënë të kuptohet se pjesëmarrjen e ekipit të Kosovës nuk e lejon Qeveria serbe.
Bashkim Bajoku, Lorent Murati, Shpëtim Bajoku, Patriot Behrami, Jozef Rrasi, Taulant Jakupi, Donat Syla e Shpejtim Shabani u përzgjodhën për Evropian. Është paraqitur edhe boksierja Donjeta Sadiku.
“Marrëdhëniet tona me të gjitha federatat e boksit, si dhe të gjithë sportistëve mes vete, gjithmonë kanë qenë miqësore dhe në nivelin më të lartë në përputhje me të gjitha kartat sportive dhe olimpike”, shkruan në letrën e Federatës serbe.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, thotë se nuk do të marrin rrugë drejt Serbisë nëse nuk ka garanci se boksierët do të jenë të sigurt dhe se do të marrin pjesë me të gjitha simbolet shtetërore.
“Nëse është ashtu siç po shkruan, që nuk na lejojnë si Kosovë, pasi shteti i Serbisë nuk e njeh Kosovën, ne pa flamur, himn dhe simbole dhe garanci për sportistët tanë nuk do të marrim pjesë. Fëmijët tanë nuk i dërgojmë ku nuk ka siguri, sepse ne jemi sportistë dhe këtu ka ndërhyrje politika. Ne nuk merremi me politikë”, ka thënë Demolli.
Pjesëmarrja e Kosovës as që pritej. Por përkundër diskriminimit të qartë ndaj Kosovës, Serbisë vazhdojnë t’i jepen ngjarje ndërkombëtare.