boks
Meçi i shekullit, Fury s’e bën hesap Usykun, nuk e këqyr në sy
Ndonjëherë asnjë fjalë nuk ka një kuptim më të madh se vetë fjalët.
Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk patën shumë pak fjalë në mes veti, madje britaniku nuk e këqyri në sy fare ukrainasin.
Titanët e peshave të rënda folën për herë të fundit në një konferencë për shtyp përpara meçit që po cilësohet historik në mbrëmjen e së shtunës mbrëma për kampionin e padiskutueshëm të peshave të rënda të botës.
“Ai është një tip i frikshëm”, tha Fury për Sky Sports kur u pyet pse nuk u përball me Usyk.
“Unë jam këtu vetëm për t’u çlodhur tani dhe për të pritur derisa të futem në ring të shtunën mbrëma. Të gjitha bisedat kanë mbaruar, të gjitha intervistat kanë përfunduar. Unë jam vërtet i relaksuar dhe i fokusuar”, vazhdoi ai.
Ndërkohë pak fjalë pati edhe boksieri ukrainas.
“Jam i emocionuar. Le të bëjmë histori”, u shpreh Usyk.
Për të cilën Fury u përgjigj: “Do ta bëj të shkurtër dhe të ëmbël. Dua të falënderoj Usyk që më sfidoi. Unë synoj të bëj një shfaqje”.
“Unë jam gati. Nuk kam asgjë për të thënë, përveç se jam gati për një luftë të mirë dhe nëse është e vështirë apo e lehtë, sido që të jetë unë jam gati”.