Futboll

REAGIM I KF LLAPI PËR NDESHJET NDAJ KF DUKAGJINI & FC DRITA (VIDEO)

Published on

Nuk e dimë se deri kur duhet të heshtim si klub? Pse po i pengon dikujt suksesi i KF Llapit?

Pas padrejtësisë që na u bë me pikët që na takonin me rregullore, misioni tjetër që ka filluar të aplikohet ndaj nesh janë gjyqtarët.

Pse të pengohemi të arrijmë synimin? A po bëhet kjo vetëm pse jemi klub ndër klubet më të organizuara në Kosovë?

Pse gjithmonë shenjestër e gabimeve të qëllimshme është Llapi, një skuadër ku secili futbolldashës dëshiron të jetë në ndeshjet e saj!?

Në vitet e mëhershme u dëmtuam, na morën nga dora Kupën në finalen e vitit 2017, dy vite më vonë na morën nga dora edhe titullin kampion sepse ishte diçka që duhej të festohej atë kohë në Drenas!

Çfarë duhet të bëj kryesia e klubit më shumë, apo duhet ta rikthej klubin në liga amatore pasi që investimi humbet nga një gjyqtar, apo një teknologji VAR që u investua dhe u bë bujë e madhe për promovimin e saj e që rezultatet e aplikimit të saj janë parë pak apo thuajse as pritshmëritë nuk i ka arritur!?

Dikujt po i pengon një njeri si trajneri Tahir Batatina dhe familja e tij që me mund e sakrificë ka arritur ta sjell klubin nga balta në një klub më nivel dhe standard të lartë të organizimit.

Pse kur ishte puna për një penalti të akorduar për ne u ngritët në këmbë të gjithë ndërsa tash po hështni të gjithë?

A duhet që investimet milionëshe të hidhen në baltë dhe mos të reagohet, apo duhet të largohen donatorët nëse ju bëjmë padrejtësi?

Pse duhet të dëmtohet një njeri dhe një kryesi që investon miliona për futbollin dhe ngritjen e futbollit?

A duhet që edhe Llapi të jetë klub i suksesit apo të dëmtohet dhe mos të arrij objektivin e saj duke u dëmtuar?

Çfarë ka këtu, kush qëndron mbrapa këtyre skemave të përgatitura?

A duhet t’i dinë këto kryesia dhe të ndalen investimet milionëshe?

Bashkangjitur këtij reagimi gjeni videon me rastet diskutabile të gjyqtarit Visar Kastratit dhe gjyqtarëve në VAR në dy ndeshjet e fundit ndaj Dritës javën e kaluar dhe sot ndaj Dukagjinit.

Ndeshjeve po u vjen fundi, kampionati do mbyllet kurse pikët nuk do rikuperohen, ndërsa gjyqtari “më i mirë” nga FFK vazhdon atë avazin e vjetër nga viti 2020 kur ishte gati të na largonte nga Superliga me vendimet e tij kontraverse duke e larguar topin nga goli e penaltitë e pastërta i bënte faulla pasi që nuk i konvenonte që KF Llapi të fitonte.

Presim që urgjentisht FFK të marr masa përndryshe këtij kampionati po i humb hijeshia dhe rivaliteti po fillon të zbehet nga akterë që më së paku duhet të kenë ndikim në ndeshjet tona.

P.s: Reagimi vjen në këto orë të vona pasi që transmetuesi i Albi Mall Superligës, Artmotion me apo pa dashje nuk i ka publikuar pamjet e pjesës së dytë të ndeshjes deri në orën 22:03 edhe përkundër insistimeve të vazhdueshme të zyrtarëve të klubit tone.

Sinqerisht,
KF Llapi
14.04.2024

Click to comment

Popular Posts

| www.fotoreporteri.info | © Të gjitha të drejtat e rezervuara