Futboll
Barcelona e Atletico, me nga një këmbë në gjysmëfinale
Dy skuadrat spanjolle, Barcelona dhe Atletico Madrid, kanë arritur t’i fitojnë ndeshjet e para çerekfinale.
Barcelona nga disavantazhi arriti një fitore dramatike 3-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të UEFA Champions League (UCL) kundër Paris Saint-Germain – fitorja e parë e Blaugranas në Parc des Princes që nga viti 2015.
Barca kaloi në epërsi në pjesën e parë përmes Raphinas, kurse Parisi arrita ta rrëzojë këtë për 3 minuta në pjesën e dytë.
Dembele dhe Vitinha shënuan për rezultatin 2-1.
Por, në skenë doli sërish Raphinha për të barazuar shifrat. E për rezultatin final u përkujdes Christensen i Barcelonës, kur në minutën e 77-të, pas një harkimi nga këndi, shënoi për rezultatin 3-2.
Në përballjen tjetër, mes Atleticos dhe Dortmundit u shënuan tri gola.
Dy gola i shënuan vendësit, spanjollët e Diego Simeones, në pjesën e parë, ndërsa Dortmundi, krejt çka mundi të bëjë ishte një gol nga Sebastien Haller në minutën e 81-të.
Katërshja e sontme do të përballen sërish të martën më 16 prill, për të siguruar biletën e gjysmëfinales.